Njeriu, si faktor dhe pësues i ndotjes së ajrit!
Statistika dhe probleme
2.4 milionë njerëz vdesin çdo vit si rezultat i ndotjes së ajrit, ndër të cilët vetëm 1.5 milionë vdekje i atribuohen ndotjes së ajrit në vende të mbyllura, që pretendohet të kenë ajër të pastër. Ky është raporti vjetor i OBSH-së, Organizata Botërore e Shëndetësisë, mbi cilësinë e ajrit në botë, ndotjen dhe pasojat e tij mbi njeriun. Fakte të tilla tronditëse e vënë botën përballë një sfide globale, siç është ndotja e mjedisit që më së shumti shkaktohet nga shtimi i dioksidit të karbonit CO2.
Dioksidi i karbonit është identifikuar si faktori më i fuqishëm i ndotjes së ajrit në botë dhe për rrjedhojë sjellë numrin më të lartë të vdekjeve nga kanceri i mushkërive. Ajri që ne thithim çdo ditë është i ndotur nga një përzierje substanciale, e padukshme, që shkakton kancerin në mushkëri. Kështu, sipas statistikave vjetore të OBSH-së, 223 000 njerëz në vitin 2010 kanë vdekur si pasojë e kësaj sëmundjeje. Krahas saj, një numër i lartë sëmundjesh lidhen drejtpërdrejt me ndotjen e ajrit, si: sëmundjet e zemrës, , sëmundjet e mushkërive, astma, pneumonia, bronkiti, alergji të frymëmarrjes, dhimbje koke, migren etj.
Përballë këtyre treguesve alarmmantë botërorë le të bëjmë një analizë të thjeshtë të situatës sonë mjedisore për të kuptuar më mirë se kush është shkaktari kryesor i ndotjes së ajrit në vendin tonë dhe cila është gjendja aktuale. A duhet të shqetësohemi dhe të ndërmarrim iniciativa të menjëhershme apo problemi nuk është koherent?!
Ne edhe pse jemi një ndër vendet më të vogla të Ballkanit, në sipërfaqe dhe numër, kemi koeficientin më të lartë të ndotjes mjedisore, dhe kjo vjen si shkak i një kaosi total gjithpërfshirës, që na identifikon më së miri nga shumë vende të tjera të botës. Problemet kryesisht lidhen me infrastrukturën e rrugëve, ka rrugë të pashtruara pa fund, me aktivitetet ndërtimore të pakontrolluara, me rritjen e shpejtë të numrit të automjeteve gjatë ketyre viteve të fundit, me gjeneratorët me naftë dhe mbi të gjitha, nga mungesa e hapësirave të gjelbëra dhe shkatërrimi ditë pas dite i atyre ekzistuese. Pra, neqoftëse në mbarë botën përballë sfidave ekologjike po flitet dhe po konkretizohen plane mjedisore në favor të shtimit të parqeve apo hapësirave të gjelbëra, ne ende vazhdojmë të veprojmë në kah të kundërt. Jemi në një progression të zhdrejtë me natyrën, veten edhe botën sepse po vazhdojmë ende të sulmojmë natyrën, dhe qytetari shqiptar me sa duket po vazhdon të vuajë pasojat e një tranzicioni kombëtar që nuk po mbaron
Për ta konkretizuar, sipas ISHP-së Instituti i Shëndetit Publik, vetëm në Tiranë, çdo banor në një vit të jetës së tij thith 7 kg grimca pluhuri të dëmshme veçanërisht për mushkëritë, ndërkohë që një polic i qarkullimit rrugor apo një shitës ambulant, që kalon pjesën më të madhe të ditës nëpër rrugët e qytetit, thith 10 kg grimca pluhuri të padukshme. Dhe jo rastësisht kjo shtresë e shoqërisë njerëzore përbën numrin më të lartë të pacientëve të diagnostikuar me probleme pulmonare. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë diagnostikuar 500 njerëz me probleme të tilla në mushkëri, dhe flasim vetëm për Tiranën. Mund të merret me mend se si do ndryshonin shifrat nëqoftëse do të bënim një përfshirje nw nivel kombëtar.
Çfarë mund të bërjmë?
Sigurisht që problemi është i të gjithëve dhe për të gjetur një zgjidhje më eficente duhet një bashkëpunim i fortë në nivelin e strukturave shëndetësorëe, qeveritare dhe qytetare. Pikë së pari le të fillojmë me edukimin e publikut mbi shëndetin dhe cilësinë e ajrit që thithim çdo ditë për t’u ndërgjegjësur mbi rolin tonë në natyrë, dhe njëkohësisht të mund të kërkojmë një ndërhyrje më të lartë në reduktimin e faktorëve që shkaktojnë ndotjen e ajrit.
Sipas parashikimeve të bëra nga Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit në SHBA është evidentuar se nëse do të arrihet të ketë një përmirësim të cilësisë së karburanteve të makinave, do të ketë 12 000 vdekje të parakohshme më pak, 15 000 infarkte më pak, dhe 6 000 fëmijë më pak me probleme astme.Vende si SHBA-të doemos,i lejojnë vetes luksin të flasin për probleme më madhore që prekin disa institucione përkatëse, por ne si popull, si qytetar kemi edhe probleme të tjera ndoshta më të thjeshta në dukje por që ne vetevete përbëjnë sfidën e përditshme të çdo individi me veten. Probleme për të cilat më së shumti nuk flitet se sa flitet. Dhe po nuk u fol nuk do të kemi kurrë ndërgjegjen për ekzistencën e tyre dhe më tej nuk mund të pretendojmë zgjidhjen e diçkaje, prania e së cilës qëndron në heshtje! Ne jetojmë çdo ditë me ndotjen, i ndjejmë pasojat në jetesën tonë dhe përsëri nuk flasim. Ndërkohë që bota mbarë “po zien” përballë këtyre treguesve mjedisorë!
Ku qëndron ngërçi, a thua se ne jemi mësuar tashmë me problemin dhe po lejojmë të vritemi në heshtje apo ndoshta nuk kemi se kujt t’i flasim?!! Po edhe po s’patëm se kujt t’i flasim, prapë do t’i flasim vetes, do edukojmë veten me evidentimin e problemeve mjedisore dhe mund të fillojmë të ç’mësohemi me heshtjen pasive që në mënyrë të pandërgjegjshme ishim mësuar deri më tani.
Mund të fillojmë me pak për të arritur më shumë!
Le të fillojmë thjesht të flasim për problemin, të kuptojmë rëndësinë e edukimit mjedisor dhe rolin e tij në shoqëri. Të ndërgjegjësohemi se edhe ne mund të ndryshojmë. Të mos të vazhdojmë të bëhemi shkak i shkurtimit të jetëgjatësisë sonë në pavetëdije.
Sot është momenti që të flasim për atë që askush më parë nuk ka dashur të flasë dhe që ende nuk po flet, le të mos humbim më kohë sepse….Jeta është shumë e shkurtër për të pritur shumë gjatë!
Referenca:
https://telegrafi.com/tag/mjedisi/
https://consciousplanet.org/