Ne Dhe Mjedisi
Ne ekzistojmë, vetëm sepse mjedisi ekziston, kjo është çështja!
Qysh në lashtësi, në hapat e parë të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, njerëzit e parë mbi rruzullin tokësor kanë mbijetuar vetëm sepse mjedisi i favorizonte dhe natyra kujdesej për ta. Edhe sot e kësaj dite, kur bota është shndërruar në teknologji që përparon me hapa galopante, dhe njerëzit janë drejt fazës së robotizimit… prapë ne ekzistojmë sepse ende ekziston edhe mjedisi! Por sot, njeriut si qenia me koefiçentin më të lartë të inteligjencës në raport me çdo lloj qenie-je tjetër ekzistenciale, i takon të vihet në rolin drejtues dhe të fillojë të kujdeset për mbarëvajtjen e mjedisit që e rrethon.
Në qoftëse për dy milionë vite me rradhë kemi qenë ne ata për të cilët natyra është kujdesur në vazhdimësi, dhe ne s’kemi bërë tjetër vecse e kemi shfrytëzuar atë drejt interesave ekonomike, sot është koha të veprojmë ne në favor të natyrës! Ta shpëtojmë atë në kohë nga probleme të shumta që s’janë gjë tjetër veçse pasojat e veprimeve të një shoqërie të papërgjegjshme dhe shfrytëzuese.
Për qindra dekada kemi punuar për veten dhe “në kurriz” të natyrës, kemi peshuar mbi këtë tokë që “nuk u ankua” kurrë, kemi thithur oksigjen nga ajri që natyra e vetëfurnizonte, kemi pirë ujë nga burime që nuk ditën kurrë të thaheshin.. por tani jo më! Natyra u lodh duke qenë shumë bujare me ne, tani nuk mban më njerëz që e rëndojnë edhe më shumë përmes mbetjeve dhe papastërtive, ajri nuk është më oksigjen, kur ne s’bëjmë gje tjetër veçse shtojmë përditë CO2, dhe të mos pretendojmë të pimë ende ujë nga burime të pastra, kur ujërat e zeza derdhen në to.
Ka ardhur koha të jemi ne ata që i rikthejmë natyrës freskinë dhe energjinë e humbur!
Për shkak të problemeve të ngrohjes globale është evidentuar se nga viti 1950 e deri në ditët e sotme temperatura mesatare e ajrit është rritur me 0.7 gradë celsius dhe si pasojë kemi shkrirje dhe rënie të nivelit të akullnajave në polin e veriut dhe të jugut, në detin arktik, rritje të nivelit të detit, vërshime të herëpashershme të lumenjve, katastrofa fatale natyrore dhe diku tjetër thatësira të tejskajshme. Luhatje të tilla klimaterike, ndryshe do t’i përkthenim në një veprimtari afatgjatë, egoiste dhe të shfrenuar të njeriut mbi ekosistemet. Madje pritet që këto luhatje të theksohen edhe më shumë në vazhdim. Sipas ekspertëve dhe meteorologëve është parashikuar që në vitin 2050 temperatura të rritet me 1-2 gradë celsius dhe në vitin 2100 me 3-4 gradë celsius. temperatura të cilat nuk janë parë më parë në historinë njerëzore dhe s’do mend që mund të imagjinojmë se çfarë na pret .
Roli i njeriut ka qenë vendimtar në historinë e natyrës gjatë këtyre viteve, si rrjedhojë edhe i pamjes që shohim sot nëpër rrugët ,ose më mirë, kaosin e qytetit. Për shumë kohë ne me veprimtarinë tonë të pakontrolluar, jemi bërë shkaktarë të shtimit apo lindjeve të një sërë sëmundjesh që lidhen me organet e frymëmarrjes, me kancerin e lëkurës, si dhe shkak i zhdukjes së një numri të konsiderueshëm gjallesash dhe speciesh ujore nga sistemi ekologjik. Rezultat ky i dëmtimit të shtresës së ozonit dhe i çrregullimeve të ambjentit.
Këtë ka bërë njeriu deri më sot si forcë sunduese e natyrës, por duke filluar nga nesër roli ynë nuk duhet dhe nuk mund kurrsesi të jetë më i njëjti. Duhet, shpejt të tjetërsohemi dhe pa diskutim të kemi një rol vendimtar në mirëqënien e natyrës dhe jo e kundërta. Të bëjmë të paktën një pjesë të vogël krahasuar me atë që natyra ka bërë gjatë gjithë kohës për ne! Le t’i jemi asaj sikur vetëm një herë mirënjohës!
Të mbjellim një lule sot për një botë më të mirë nesër!
Të kuptojmë rëndësinë e mjedisit përpara se ta humbim, të flasim për herë të parë në nivel veprimi! Të edukojmë brezat me frymën e gjelbër! Të konkretizohemi shpejt dhe së bashku, çdo qytetar në çdo cepë të globit kudo qoftë sepse problemi nuk është vetëm i imi, i yti, por i të gjithëvë ne, sepse një pakujdesi e jotja ndaj natyrës më prek edhe mua, edhe tjetrin e të gjithë nga pak, ashtu sikurse nje nismë dobiprurëse e iniciuar sot diku, nesër merr pas vetes edhe shumë të tjerë deri në përmasa globale sensibilizimi dhe veprimi.
Unë sërish theksoj se çeshtjet e mjedisit nuk janë dhe nuk mund të zgjidhen vetëm në nivel individual-qytetar,por edhe në nivel të organizatave dhe qeveritar njëkohësisht. Po i referohem konkretisht Shqipërisë (neve), e cila është shpallur nga Agjencia Mjedisore e Kombeve të Bashkuara, si vendi me problematikën më të thellë mjedisore në Ballkan.dhe pavarësisht urgjencës së problemit sërish çështjet mjedisore nuk janë ato të rëndësisë së parë. Ende nuk kemi një strategji konkrete mjedisore. Sepse legjislacioni ekziston, p.sh në vitin 2000 ratifikohet Konventea e ARHUS-it, përmes së cilës i jepët e drejta qytetari në informim dhe vendimmarrje në kuadër të alternativave ekologjiste së bashku me qeveritarin apo institucionin përkatës. Por ku qëndron problemi? Mungon implementimi dhe transparenca nga dikasteret përkatëse qytetari nuk ka as minimumin e informimit apo të kontaktit me agjencitë rajonale të mjedisit dhe më tej nuk vlen të flasim për vendimarrje.
Sërish i rikthehemi një rrethi vicioz ku flitet pa fund dhe nuk bëhet asgjë. Çështja është të përpiqemi pa fund të ngermë zërin që të fillojmë të dëgjohemi. Ta nisim ndryshimin ne si qytetar, të sensibilizojmë veten dhe më pas të kalojmë te qeveritari. Të punojmë për veten sepse vetëm kështu do mund të kuptojmë se Ne Ekzistojmë Vetëm Sepse Mjedisi Ekziston!
Le t’i lëmë gjurmët tona në natyrë, në përpjekje për mos ta shkelur atë!
Referenca:
https://telegrafi.com/tag/mjedisi/
https://consciousplanet.org/