Back to Blog

Riciklimi, si proçes mjedisoro-social

Ta bëjmë botën një vend më të këndshëm për të jetuar, duke u kujdesur për mjedisin rreth vetes sepse nuk është vetëm hapësira jonë individuale, por është dhe duhet konsideruar si hapësira mikpritëse e bashkëjetesës sonë qytetare! Mjedisi është i të gjithëve dhe ne identifikohemi përmes tij! Të kujdesesh për të do të thotë të kujdesesh për veten. Kujdesi për natyrën fillon nga vetë indivivdi, fillon qysh me ndarjen e mbeturinave në shtëpi e më pas me hedhjen e tyre në koshat përkatëse dhe kalohet më pas në një tjetër proces që është ai i riciklimit.

Riciklimi është një tërësi aktivitetesh që përfshijnë grumbullimin, ndarjen dhe procesin e kthimit të mbetjeve në një prodhim të ri, me dhe pa strukturën kimike të materialit.

Riciklimi është një mundësi ekologjike dhe fitimprurëse në menaxhimin e mbetjeve krahas landfill-eve (vendgroposje) apo incenerim-it (djegies) sepse përmes tij: kursehet energji,  kursehen taksa, zvogëlohet sasia e mbeturinave, ruhen burimet natyrore ( si pyjet, ujrat, pasuritë nëntokësore, metalet dhe nafta/lëngjet fosile) etj., parandalohet ndotja e ajrit që shkaktohet nga prodhimi i një produkti të ri si dhe çon në reduktimin e ngrohjes globale.

Shkurt, procesi i riciklimit ndihmon në ruajtjen e mjedisit. Por kur flasim për veprimtari të tilla, të cilat janë të një rëndësie kombëtare duhet medoemos një frymë bashkëpunimi në nivel individual dhe shtetëror, sepse dakort që qytetari do bëjë ndarjen e mbetjeve po ku, ne cilat kosha do shkojnë këto mbetje, ku janë koshat riciklues që bëjnë veçimin e tyre? Sot, edhe në Tiranë, që është kryeqyteti i vendit, nuk sheh më shumë se dy-tre kosha të tillë, ndërkohë që popullsia kap afersisht shifrën rreth një milionë. Absurditet!

Ndërkohë le të marrim shembull Gjermaninë, e cila është rasti model për sa i përket kulturës mjedisore, ricikluese dhe jo vetëm. Në çdo qoshe të rrugës sheh të vendosura tre vazo të mëdha metalike ( qelqi, plastika dhe letra). Dhe çdo familjeje, çdo shtëpie iu janë shpërndarë falas nga shteti enë të veçanta ku mblidhen mbeturinat, bëhët ndarja e tyre dhe kështu çdo gjë riciklohet.

Ne, me siguri jemi shumë larg kësaj fryme qytetarie dhe politikbërje-je, por nese fillojmë të punojmë për ndryshimin, do përmirësohemi!

Riciklimi, përveç të tjerash, është edhe fitimprurës, sepse kursen energji, sipërfaqe dhe material. Si arrihet kjo? Përgjigja do ishte një tjetër rast konkret: një ndër vendet europiane doli nga kriza ekonomike, edhe falë procesit të riciklimit. Vendi në fjalë është Spanja, e cila arriti të dilte nga një gjendje krize ekonomike mjaft te renduar duke shfrytëzuar kursimin nga riciklimi i mbetjeve. Ishte fryma edukuese qytetare që i nxiste njerëzit të hidhnin veç plastikën, qelqin dhe letrën dhe falë kësaj pune individuale, kompanitë ricikluese arritën të kursenin miliona euro në punën e tyre. Ja pra se si falë një veprimtarie të tillë, akoma të panjohur mirë për ne, kemi njëkohësisht një mjedis më të shëndetshëm dhe zhvillim ekonomik.

Por përse ende në Shqipëri, një politikbërje e tillë nuk gjen vend? Cilat janë barrierat, çfarë po ndodh me ne që sot nuk jemi koherent me probleme të tilla, të cilat për botën mbarë janë veprimtari e përditshme, përse ende shumë njerëz nuk njohin termin “riciklim”???

Sigurisht përgjigja këtu është e shumëfishtë, por ajo që është më evidente është mungesa e informimit në nivel publik, administrativ dhe zyrtar apo mungesa e kultures se sa përfitim mund të ketë një shoqëri, një biznes, një shtet nga politikat ricikluese. Kjo do te thote se pa e njohur fenomenin nuk kemi se si të bëjmë të mundur implementimin e tij. Së dyti është mungesa e eksperiencës nga vetë biznesi dhe së fundmi është kosto-ja e lartë. Riciklimi në vetvete kërkon edhe kushte ekonomike të favorshme për transportin dhe energjinë e përdorur. Megjithatë, pavarësisht favorizimit ose jo ekonomik, një ditë nga diku duhet filluar dhe sa më parë, aq më mirë. Ajo çka shpenzohet sot, fitohet nesër!

Problemi  mjedisor është urgjent dhe çdo mundësi që na jepet është një zgjidhje. Zgjedhjet i bëjmë ne! Dhe natyra nuk ka më kohë për të na pritur, na ka duruar dhe pritur për shekuj të tërë, por tani jo më!

Njeriu e grabiti natyrën pa fund, por ajo nuk harron kurrë të hakmerret! Dhe ky mesa duket është moment i natyrës kundër njeriut dhe tani na ngelet ne të fillojmë të korrigjojmë veten! Sasia e mbetjeve që prodhohen po rritet çdo vit me 3% dhe këto mbetje po nuk u ricikluan do të mbeten stok në natyrë derisa të mbizoterojne mbi natyren. Si përfundim, riciklimi i mbetjeve urbane nuk është zgjidhja e plotë, por është një fillim i mbarë!

 

Referenca:
https://telegrafi.com/tag/mjedisi/
https://consciousplanet.org/

Share this post

Back to Blog
Mob: +355 69 405 0210