Auditim energjie

1. Auditimet energjetike kryhen nga auditues energjie të licencuar sipas kërkesave në ligj.
2. Auditimi energjetik shoqërohet me një raport që përfshin:
a) një vlerësim të nivelit aktual të konsumit të energjisë për objektin e auditimit energjitik, si
p.sh.: ndërtesat, objektet industriale dhe objektet e tjera që vlerësohen;
b) propozimin e masave të kursimit të energjisë që duhen marrë, përfshirë justifikimin ekonomik;
c) të dhëna për sasinë totale të kursimeve të arritshme;
ç) opinionin përfundimtar të ekspertit të audituesit energjetik për potencialin për rritjen e efiçencës së energjisë dhe zgjidhjet teknike përkatëse.

3. Audituesi i dërgon një kopje të raportit të auditimit energjetik dhe zgjidhjet teknike përkatëse Agjencisë për Efiçencën e Energjisë për ato persona që janë subjekt i auditimit të detyrueshëm ose kur auditimi është realizuar në kuadrin e një programi të financuar nga Fondi i Efiçencës së Energjisë.

4. Auditimi energjetik është i detyrueshëm për:
a) të gjithë personat fizikë dhe juridikë, që aplikojnë për një program të financuar nga Fondi për Efiçencën e Energjisë për nxitjen dhe përmirësimin e efiçencës së energjisë;
b) institucionet shtetërore ose subjektet që janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë dhe që financohen plotësisht ose pjesërisht nga buxheti i shtetit;
c) të gjithë personat fizikë dhe juridikë, që nuk përfshihen në shkronjën “b”, të kësaj pike, që janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë.

5. Auditimet energjetike të detyrueshme kryhen:
a) çdo 3 (tre) vjet për personat fizikë dhe juridikë, të përcaktuar në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 4, të këtij neni;
b) çdo herë, përpara se një ndërtesë, objekt industrial, dhe objektet e tjera që vlerësohen vihen në punë dhe/ose kur ndërtohen nga e para apo i nënshtrohen një rinovimi të konsiderueshëm.

6. Ndërtesat publike dhe objektet industriale që janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë, që janë objekt i auditimit të detyruar duhet, që, brenda dy vjetësh nga marrja e rezultateve të auditimit, të përmbushin masat dhe veprimet e rekomanduara për përmirësimin e efiçencës së energjisë.

7. Personat fizikë ose juridikë, subjekt i auditimit energjetik, paguajnë shpenzimet e kryera nga audituesi, si dhe shpenzimet për zbatimin e zgjidhjes teknike të dhënë nga audituesi për ruajtjen dhe kursimin e energjisë.

8. Përmbajtja e detajuar e një auditimi energjetik dhe pagesa minimale për audituesin energjetik përcaktohen në rregulloren e hartuar nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe të miratuar nga ministri dhe ministri përgjegjës për ndërtimin.